Bërthama e Tokës mund të ketë ndaluar së rrotulluari, ose edhe tani mund të jetë duke u rrotulluar prapa, sipas një studimi të ri.
Bërthama e planetit tonë përbëhet nga një shtresë e jashtme e metalit të lëngshëm dhe një bërthamë e brendshme prej metali të ngurtë që është rreth 70 për qind e madhësisë së Hënës, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Në përgjithësi besohet se bërthama rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës kur shikohet nga Poli i Veriut.
Por, një studim që analizon të dhënat e valëve sizmike gjatë 60 viteve të fundit nga studiues në Universitetin e Pekinit në Kinë ka gjetur se rrotullimi i bërthamës ndaloi rreth vitit 2009 dhe më pas rifilloi në drejtim të kundërt.
“Ne mendojmë se bërthama, në lidhje me sipërfaqen e Tokës, rrotullohet në një drejtim dhe më pas në tjetrin, si një lëkundje,” i thanë AFP-së, autorët e studimit Xiaodong Song dhe Yi Yang.
Një cikël i plotë (në një drejtim dhe më pas në tjetrin) i kësaj lëkundjeje zgjatë rreth 70 vjet, shtuan ata.
Sipas studiuesve, ndryshimi i fundit i rrotullimit para vitit 2009 do të mund të ketë ndodhur në fillim të viteve 1970, dhe i tjetri mund të ndodhë në mesin e viteve 2040.