Home > Lajme > Zbulohen personat që dyshohet se kërcënuan kryetarin Shaqir Totaj

Zbulohen personat që dyshohet se kërcënuan kryetarin Shaqir Totaj

///
Comments are Off

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë ditës së djeshme ka qenë cak i kërcënimeve nga dy qytetarë, të cilët si rezultat i denoncimit të rastit në organet e hetuesisë, janë arrestuar dhe kanë përfunduar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Faik Kryeziu 56-vjeçar dhe Hekuran Gashi 29-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Kryeziu gjatë një takimi me Gashin i ka kërkuar atij që të takohet me djalin e Totajt dhe t’i çojë selam babait të tij që t’ia lërë fëmijët rehat.

Në të kundërtën, Kryeziu ka kërcënuar se nuk do t’ia lërë rehat as fëmijët e tij, duke aluduar në familjen e kryetarit Totaj.

E sebep për gjithë këtë zënkë dyshohet të jetë bërë vlerësimi dhe kompensimi material i pronës që Kryeziu posedon, e cila pengon finalizimin e rrugës ‘Tranziti i Ri’. Kryeziu për të cilin Sinjali mëson se ka vetëm edhe pak ditë afat që të lëshojë shtëpinë, është i pakënaqur me shumën që Komuna ka vendosur ta kompensojë shpronësimin e tokës

Përballë kësaj situate, kryetari i Komunës së Prizrenit ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët janë aktivizuar dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit.

Kryeziu dhe Gashi janë shoqëruar në stcion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit në prezencën e avokatit mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Verified by MonsterInsights