Kolonat janë të zakonshme, e pritja që ato të evitohen e gjatë. As pas rreth 4 vjetëve prej kur nisi, përfundimi i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë zor se mund të kryhet shpejt. Kjo pasi të mërkurën u shkëput kontrata me kompaninë e angazhuar në projekt.
Se pse u bë kjo tregoi zëvendësministri i infrastrukturës, Hyen Durmishi, në një postim në Facebook.
“Shkëputja e kontratës është bërë bazuar në raportin e Auditorit, me ç’rast punëdhënësi, përkitazi autoriteti kontraktues (MMPHI) dhe financuesit – bankat ndërkombëtare (SFD dhe OFID) pas shumë tentativave dhe takimeve me Kontraktorin për të gjetur zgjidhje dhe të tejkalojnë sfidat me të cilat përballeshin, Kontraktori “Pevlaku & Patishta”, nuk ka përmbushur obligimet/angazhimet e tij”, shkroi Durmishi.
Klani ka provuar gjatë të enjtes të ketë një përgjigje edhe nga kompania e kontraktuar “Pevlaku&Patishta” rreth këtij vendimi, por e ka pasur të pamundur. E qytetarët që e frekuentojnë shpesh rrugën shprehen të zhgënjyer se punimet do të vonohen edhe më.
Zgjerimi dhe asfaltimi i kësaj rruge sipas kontratës ka kushtuar afro 25 milionë euro dhe parashihej të përfundonte brenda 24 muajsh prej kur nisi në mars të 2019-ës.Ndërkohë njoftimet e fundit nga Ministria paralajmëronin se punimet do të kryheshin në kuartalin e dytë të 2023-tës.
The post Shkëputja e kontratës, zgjatet agonia e udhës për Mitrovicë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.