Home > Uncategorized > Begaj: Shteti i Kosovës, përmbushje e amanetit të Rugovës dhe Jasharit

Begaj: Shteti i Kosovës, përmbushje e amanetit të Rugovës dhe Jasharit

//
/
Comments are Off

“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit”.

Kështu u shpreh Bajram Begaj, president i Republikës së Shqipërisë në pritjen që ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi sot për nderë të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, raporton Klankosova.tv.

Ai mes tjerash u shpreh se në 15 vite pavarësi, Kosova ka treguar se është dhe do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në Evropën Juglindore.

Në fjalën e tij, duke iu referuar tentativave të Rusisë për të shtrirë konfliktin ukrainas në Ballkan, Begaj theksoi se faktori shqiptar duhet të jetë i njehsuar në qëndrimet e tij.

Kjo është fjala e tij e plotë:

Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.

Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik.

Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj.

Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.

Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.

Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë.

Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.

Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcon bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qenurit bashkë në familjen e madhe evropiane.

Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njehsuar në qëndrimet e tij.

Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjelltë dhe respektimi i minoriteteve.

Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona.

Urime Kosovë!

Bajram Begaj

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

The post Begaj: Shteti i Kosovës, përmbushje e amanetit të Rugovës dhe Jasharit appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights