Kosova ka shprehur interesimin për të qenë organizatore e Lojërave Olimpike Mesdhetare 2030.
Deri më 30 qershor, Komiteti Olimpik i Kosovës do ta dorëzojë kandidaturën për të qenë nikoqir i këtij organizimi.
Sipas ish-kryetarit të KOK-ut, Besim Hasani, në rast të pranimit të kandidaturës, përfitimet do të jenë të shumanshme.
Hasani tha në një intervistë për Klankosova.tv se me këtë organizim do të ndikohet në zhvillim të hovshëm të turizmit dhe rritje të rejtingun e shtetit.
“Nga organizimet e ngjarjeve sportive, për nikoqirin ka përfitime të shumta dhe të shumëllojshme: ndërtohet infrastruktura sportive me standarde sipas kritereve të Federatave Ndërkombëtare, ngrihen dhe modernizohen kapacitete hoteliere, ngrihen kapacitetet e burimeve njerëzore të industrisë së sportit dhe jo vetëm”, tha Hasani.
Por, sipas ish-kreut të KOK-ut, Kosova nuk ka kapacitetet e as përvojën për organizimin e këtyre lojërave.
“Kosova, për momentin, nuk i ka këto kapacitete as me palestra, pajisje e as burime njerëzore të aftësuara për një organizim të tillë, e nuk ka as kapacitete rrugore, transporti e mos të flasim për kapacitete hoteliere”, theksoi ish-kreu i KOK-ut për Klankosova.tv
Megjithatë, ish-numri një i Komitetit Olimpik shtoi se në periudhën prej shtatë vjetësh, Kosova mund të përgatitet nëse ka bashkëpunim mes faktorëve relevantë.
“Me një bashkërenditje të institucioneve qeveritare e joqeveritare, me zellin e vullnetarëve, me mbështetjen e eksperteve vendorë e ndërkombëtarë dhe me sinergji midis pozitës dhe opozitës, shtatë vjet punë intensive dhe të koordinuar besoj se mund të ia dalim të përgatitemi”, shtoi ai.
Besim Hasani ndër të tjera tha se sporti ka nevojë për të rinj e të reja me vullnet të çeliktë dhe përkushtim të lartë ndaj sportit.
“Ka nevojë për trajnerë që orientojnë dhe kalisin sportistët për rezultate kulmore. Ka nevojë për ekspertë të kalibrit të lartë e që janë në mbështetje të punës efektive të trajnerëve dhe sportistëve. Ka nevojë për infrastrukturë moderne dhe ka nevojë për mbështetje financiare në proporcion me kontributin që jep sporti për Bruto Produktin Vendor, për punësimin, për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit, për zvogëlimin e dukurive negative dhe jetës sedentare, për ngritjen e imazhit të shtetit dhe afirmimin e tij ndërkombëtar dhe për punën vullnetare të komunitetit të sportit”, tha Besim Hasani në një intervistë për Klankosova.tv
Ai theksoi se deri më sot, sporti ka dhënë shumë për shtetin, derisa thotë se shteti nuk ka dhënë mjaftueshëm për sportin.
The post Organizimi i Lojërave Mesdhetare, Hasani: Ndikon në zhvillimin e hovshëm të turizmit appeared first on Klan Kosova.




