Të premtën tek parku “Heroinat”, 14 prilli do të zyrtarizohet si Dita e të Mbijeturave të Dhunës Seksuale, ngjarje kjo e cila do të organizohet nga Presidenca e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti, në një intervistë për “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka treguar rëndësinë e kësaj dite.
“Kjo ditë për historinë e Kosovës daton një ditë të re, për faktin që paraqet kujtesën e mijëra grave dhe burrave që fatkeqësisht gjatë periudhës së luftës janë keqtrajtuar në format më barbare të mundshme, për ata të cilët janë gjallë dhe për ata që nuk janë në mesin tonë”, u shpreh ajo.
Rushiti gjithashtu tregoi se 14 prilli është dita kur Vasfije Krasniqi, siç u shpreh ajo, barbartisht është keqtrajtuar nga dy persona, përcjell Klankosova.tv.
“Pikërisht para 4 vjetëve, me 14 prill kemi qenë bashkë me Vasfije Krasniqin tek vendi ku i ka ndodhur krimi. 14 prilli është dita kur ajo barbartisht është keqtrajtuar nga dy, njëri punonjës i policisë në atë kohë dhe një qytetarë dhe i kemi shkuar në vendin e ngjarjes, aty ku ka ndodhur krimi”.
“Nuk ka qenë e lehtë të mposhtësh dhimbjen, ankthin, frikën dhe të shkon nga ai vend të kërkosh drejtësi dhe të kërkosh që një ditë duhet të njihet edhe për këtë grup të ndjeshëm shoqëror”, u shpreh ajo.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.
The post 14 prilli me ceremoni do të zyrtarizohet si dita e “Heroinave” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


