Home > Uncategorized > Festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga 4 deri më 6 maj 2023 në Prishtinë

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga 4 deri më 6 maj 2023 në Prishtinë

//
/
Comments are Off

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë.

Ky festival ka për qëllim prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore dhe diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë.

Qytetarët do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë, transmeton Klan Kosova.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen.

Publiku po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjojë grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndërrta e tyre.

Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.

Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutojmë tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.

Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas dhe të gjithë janë të mirëseardhur!

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

klankosova.tv

The post Festivali “Mirëdita, dobar dan!” do të mbahet nga 4 deri më 6 maj 2023 në Prishtinë appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights