Nëse Kosova do të duhej të krenohej për një lloj turizmi, atëherë ai padyshim se është turizmi malor- pikërisht për shkak të bukurive natyrore që ka.
Megjithëse janë themeluar kompani të ndryshme që ofrojnë shërbime dhe lehtësi për ngjitje nëpër male, ky lloj turizmi i ka kostot dhe rreziqet e veta.
Këtë të martë, dy të huaja, njëra nga Franca dhe tjetra nga Belgjika, humbën jetën tragjikisht pasi ranë në një humnerë gjatë ngjitjes në Qafën e Valbonës në Shqipëri.
E kur bëhet fjalë për emergjenca të tilla, në shumicën e rasteve është një grup që ftohet i pari për të intervenuar në këso raste dhe që këtë shërbim e kryen në mënyrë vullnetare – pa ndonjë mbështetje nga shteti.
Klankosova.tv e ka kontaktuar Ilir Zhegrovën, i cili është anëtar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës për ta pyetur rreth vështirësive që ky grup hasë për të shpëtuar jetë njerëzish. Në përgjigjen e tij, ai ka thënë se të gjitha materialet që nevojiten për ta kryer këtë punë – madje edhe derivatet për automjete i blejnë me mjete vetanake.
Ilir Zhegrova – anëtar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës
“Në jemi grup vullnetar i kërkim-shpëtimit malor dhe funksionojmë nën ombrellën e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës. Ky grup i themeluar në vitin 1952 nga FBAK, ka qenë funksional deri në vitet e 90-ta, pastaj në vitin 2019 është riaktivizuar nga e njëjta federatë”.
“Kemi kryer trajnime të ndryshme për kërkim-shpëtim në mal nga organizata të huaja dhe grupe me përvojë nga Italia, Kroacia, Mali i Zi e kështu me radhë”.
“Jemi të certifikuar dhe licencuar edhe për kërkim-shpëtim nëpër bjeshkë, humnera, zona me gurë të thepisur – kemi marrë pjesë në shumë aksione kërkim-shpëtimi, dukë përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi”.
Tutje, Zhegrova ka treguar se ky grup ka marrë pjesë edhe në vërshimet që u shkaktuan nga reshjet e shiut nëpër disa komuna Kosovës.
Vërshimet në veri të Kosovës si pasojë e reshjeve të shiut
“Është rasti i serbit i cili ka pasur sulm në zëmër dhe si pasojë ka mbetur lart në Grykat e Hapura në Valbonë. Nga policia e Bajram Currit na është kërkuar që të shkojmë dhe ta bëjmë një intervenim në këtë pjesë të Valbonës”.
Kur bëhet fjalë për mbështetje nga shteti, ai ka thënë se në të kaluarën e kanë pasur një bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk bëhet fjalë për ndihmë apo mbështetje nga ana e shtetit.
“Për momentin, jemi duke e kryer një trajnim në bashkëpunim me ekipin e kërkim-shpëtimit malor italian TNSAS. Prej Kosovës jemi 10 persona duke u trajnuar dhe pastaj do të pajisemi me licenca shtesë”.
“Nuk kemi kurrfarë ndihme nga ana e shtetit. Për shembull, pajisje të barelave, uniforma, litarë e gjëra të tjera. Kemi aplikuar nëpër disa projekte të ndryshme nëpër ambasada. Në rastin e fundit, në Ambasadën Amerikane, kemi kërkuar mjete të punës dhe besoj se do të marrim një përgjigje pozitive”.
“Pagë nuk marrim për këtë punë. Madje edhe të gjitha mjetet që nevojiten për kërkim-shpëtim si litarë, karabina – madje edhe derivatet për automjete, të gjitha i paguajmë nga gjepi ynë”.
Kujtojmë se të martën, ka qenë kjo skuadër kosovare e cila ka arritur ta bëjë nxjerrjen e trupave të dy viktimave nga humnera në Valbonë.
“Sa i përket anës së Bajram Currit, ne gjithmonë jem të parët që intervenojmë në raste emergjente në mënyrë vullnetare”, përfundon Zhegrova.
Në Shërbimin e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, aktualisht janë 15 anëtarë aktivë. Mirëpo ky grup bashkëpunon me vullnetarë të rinj dhe pas një përvoje, i licencon dhe i anëtarëson ata për raste emergjente nëpër zonat malore.
*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
klankosova.tv
The post Grupi vullnetar për kërkim-shpëtim malor i Kosovës – nuk mbështetet nga shteti appeared first on Klan Kosova.


