I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri.
Ai ka thënë se gjithçka që ka bërë SHBA-ja në 90 ditët e fundit, ka qenë në favor të Kosovës.
“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, ne e kemi mbështetur, Serbia ka dashur që të shpalljet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë e që nuk ka shkuar në të të mirë të Kosovës”
Escobar ka thënë se ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi nuk e kanë përmendur kurrë fjalën sanksion, por pasoja.
“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja”, shkruan REL, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, përshkallëzimi është duke krijuar kushte të vështira për rajonin, dhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, prandaj të dyja palët kanë rol në uljen e tensioneve.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:
Shtensionimin e situatës atje
Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
I pyetur nëse Escobar do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borell, ai ka thënë se ende është duke u punuar në takim.
“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”.
Kurti ka thënë më herët gjatë së premtes se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takim.
Sa i përket kritikës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobar, ka thënë se SHBA-ja dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.
“Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se, është në pritje të reagimit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për arrestimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
Ai ka thënë se mbrojtja e vijës kufitare në pjesën veriore të Kosovës, është përgjegjësi e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, por “në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it”.
Escobar ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.
“BE beson se diçka e tillë jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesin këtë qëndrim. dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS
The post Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja appeared first on Klan Kosova.



