Home > Uncategorized > Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi të Kosovës për krime lufte në Ozdrim të Pejës

Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi të Kosovës për krime lufte në Ozdrim të Pejës

//
/
Comments are Off

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi të nacionalitetit serb nga fshati Vitomericë e Pejës, për krime lufte ndaj civilëve në Ozdrim.

“Është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.GJ, i nacionalitetit serb, nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, më 7 maj 1999 fillimisht e rrethuan fshatin Ozdrim, e pastaj filluan një ofensivë ushtarako-policore duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç ‘rast u vranë 19 civilë shqiptarë.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj prokurorie.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

I pandehuri gjendet në paraburgim deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

The post Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi të Kosovës për krime lufte në Ozdrim të Pejës appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights