Home > Ballina > Rama mbledh liderët ballkanikë në Tiranë të hënën, prania e Kurtit në dyshim

Rama mbledh liderët ballkanikë në Tiranë të hënën, prania e Kurtit në dyshim

///
Comments are Off

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu si ka bërë me dije edhe më herët gjatë një turi dy-ditor ballkanik, do të mbledhë në Tiranë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, si një takim joformal parapritës për Samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet po në Tiranë më 6 dhjetor.

I pranishëm në takimin e nesërm, pritet të jetë edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, i cili është edhe mediator kryesor i rajonit me strukturat e larta të unionit.

Sa bëhet me dije, është konfirmuar se në kryeqytetin shqiptar do të jenë kryeministrat e vendeve respektive.

Dritan Abazoviç i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut, Borjana Kristo e Bosnjë dhe Hercegovinës si edhe Ara Bërnabiç e Serbisë, është e sigurt se do të jenë të pranishme.

Por, dyshime ka ende nëse kreu i Ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti, do të jetë apo jo në këtë takim joformal.

Kurti, gjatë turit të Ramës në Ballkanin Perëndimor, ishte i vetmi lider, i cili nuk pati një takim kokë më kokë me homologun e tij shqiptar, pavarësisht këmbënguljes së Ramës.

Përkundrejt kësaj, kryeministri kosovar ka thënë se ka mbetur peng i anulimit të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, rreth të cilës Rama kërkoi një format tjetër nga ai i parashikuari, duke parë edhe situatën tejet të tensionuar në veriun e Kosovës ato ditë.

Prej asaj dite, Kurti nuk ka pranuar takime (qofshin zyrtare apo jo) me Ramën, përpos atij në formatin e një mbledhjeje të dy qeverive.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka përkufizuar se kjo është një humbje e madhe, pasi Shqipëria është ngarkuar me rolin e veçantë të organizimit të Samitit të Procesit të Berlinit dhe mbi këtë përgjegjësi, shtohet edhe ajo për të pasqyruar gjithë avancimet, por edhe shqetësimet e vendeve, tek aleatët strategjikë të BE-së.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, kryeministri Rama arriti të bënte edhe një hap pas lidhur me nismën “Open Balkan”, të cilën e etiketoi si një nismë që e ka përmbushur misionin e vet dhe se Procesi i Berlinit, duhet të jetë ai që merr gjithë energjitë e nevojshme të gjashtë vendeve të rajonit, për integrimin e mëtejshëm evropian dhe paqen.

Kjo gjë gjithsesi, nuk e ka bindur sërish Kurtin për të pasur takime bilaterale me Ramën dhe mes tyre ka pasur thjesht shkëmbim replikash në distancë sa i takon situatës./Albanianpost

Verified by MonsterInsights