Mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni.
Kështu tha kryeministri Albin Kurti për Kosovapress.
Ai ka shtuar se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shprehin vullnetin për t’ia ndërprerë mandatin kryetarëve aktual jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.
Në anën tjetër, kreu qeveritar, thotë se deeskalimi në veri në masë të madhe ka ndodhur, derisa kërkon nga Bashkimi Evropian që sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese dhe të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Ai thotë se po punojnë që sa më shpejtë të bëhet rregullimi i çështjeve teknike dhe administrative për zgjedhjet e reja në veri.
“Ne e kemi një grup punues tash që e bënë vlerësimin e gjendjes së sigurisë, ku Policia e Kosovës konsultohet edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in. Si rezultat i këtyre vlerësimeve të këtij grupi profesional ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në tri ndërtesat në tri komunat veriore të Kosovës. Jemi të interesuar për deeskalim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe deeskalimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i rieskalimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, deklaron kryeministri Kurti.
Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Kurti thotë se të njëjtat nuk janë fer dhe duhet të hiqen sa më parë.
Sipas tij BE-ja të përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.
“Sa i përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë ferë. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropian sa më parë të përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, thotë ai.
The post “Peticioni mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE t’i largojë masat sa më parë” appeared first on Klan Kosova.



