Kosova është bërë anëtarja më e re në organizatën The Open Government Partnership (OGP), që në gjuhën shqipe do të thotë Partneriteti për Qeverisje të Hapur.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, raporton Klan Kosova.
“I lumtur të ndaj lajmin se Kosova është bërë anëtarja më e re në Open Government Partnership. Ne, përmes kësaj organizate i bashkohemi kombeve të botës demokratike, duke u zotuar mbi parimet e përbashkëta për qeverisje të hapur, të përgjegjshme dhe inovative duke u angazhuar për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”, ka shkruar Krasniqi në njoftimin e tij.
Kujtojmë se Partneriteti për Qeverisje të Hapur (OGP) është një iniciativë shumëpalëshe që synon të sigurojë angazhime konkrete nga qeveritë kombëtare dhe nën-kombëtare për të promovuar qeverisjen e hapur, për të fuqizuar qytetarët, për të luftuar korrupsionin dhe për të shfrytëzuar teknologjitë e reja për të forcuar qeverisjen.
Në frymën e bashkëpunimit me shumë palë, OGP mbikëqyret nga një komitet drejtues që përfshin përfaqësues të qeverive dhe organizatave të shoqërisë civile.
The post Kosova anëtarësohet në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) appeared first on Klan Kosova.


