Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten gjatë një konference për media se me shumë gjasë autoritetet e Kosovës nuk do lëvizin me ultimatumin që iu dha katër institucioneve serbe, që të lëshojnë një ndërtesë në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë.
Këtë 8 shtator skadoi afati i dhënë nga autoritetet lokale në veri të qytetit ndaj institucioneve në fjalë të sistemit paralel ta dorëzojnë godinën që komuna e udhëhequr nga Erden Atiq, thotë se është pronë publike.
“E provuan këtë dje para se Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të bënin presion dhe ata u detyruan të ndalen mbase deri më 14 shtator, dhe më pastaj nën kërcënim ata do bëjnë këtë me 15, 16, 17 shtator pra secilën ditë që vije pas dialogut”, theksoi Vuçiq.
Të enjten e 14 shtatorit në Bruksel, është caktuar të mbahet takimi i ri i nivelit të lartë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit serb.
Në adresimin e gjatë të sotëm, Vuçiqi shtoi se ka vullnet të mirë nga pala e tij, sepse ka biseduar me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, që të pranojnë sipas tij dialogun për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në veri.
E deklarata e sekretarit të NATO-s, dhënë të enjten gjatë takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, se duhet bashkërendim me KFOR-in edhe për njësitet policore kur të zbarkojnë në veri të shtetit kosovar, duket se e ka gëzuar Vuçiqin.
The post Vuçiqi e diti që Atiqi s’ia heq serbët nga ndërtesa në veri (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.



