Nga mëngjesi hershëm i të martës e deri kur ra terri, një kompleks në Rrugën C, pati disa mysafirë të paftuar.
Të asistuar nga Policia e Kosovës, EULEX vazhdoi bastisjet e urdhëruara nga Prokuroria e Specializuar, në banesën e Artan Behramit, këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi i cili po gjykohet në Hagë.
Cak qe edhe apartamenti i prindërve të Behramit, gjë që nuk ndodhi pa qenë të njejtit prezent.
Për këtë dhe kontrollet tjera tha se do të ankohen avokati Artan Qerkini, pasi ish-bashkëpunëtori i Thaçit nuk e ka as statusin e të dyshuarit.
Mbrojtësi i familjes, tha se hetuesit e huaj, morën edhe prova jo relevante si IPAD-ët e fëmijëve.
Vetë Behrami akuzoi ZPS-në se përmes aksioneve politike po do t`i mbulojë dështimet e veta. Angazhimit të tij, krah ish-shefit të shtetit thotë se nuk i heq asnjë presje.
Gjatë së hënës, bastisje të tilla pati edhe në pronat e dy ish-këshilltarëve të Thaçit, Bashkim Smakajt e Blerim Shalës.
The post S’kursehet as këshilltari gazetar i Thaçit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


