Genc Salihu ka luajtur rolin e Nolit, një kosovari të ri homoseksual në filmin “Martesa”.
Përzgjedhja e tij për këtë detyrë ishte një histori unike.
Regjisorja Blerta Zeqiri hezitoi shumë për t’ia ofruar atë rol Salihut nga frika se ky do të ndihej keq dhe se nuk do ta pranonte.
Por, mënyra se si ishte sjellë ajo, e kishte habitur këngëtarin pa përvojë në aktrim. Për shkak të qasjes së Zeqirit, Salihu kishte filluar të mendonte mos regjisorja kishte ndjenja për të, duke e vënë në siklet Nolin e ardhshëm, njofton Klan Kosova.
“Është shumë si anekdotë, shumë qesharake po mendoj, unë me Blerta Zeqirin, e cila është regjisorja e filmit ‘Martesa’ jemi shokë, jemi shokë qysh para luftës, domethënë tanë jetën. Ajo është marrë me muzikë, kemi marrë pjesë në festivalet e njëjta e kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë”.
Por në fazën kur nisi përgatitjet e filmit, takimet në mes dy miqve, pos që u shpeshtuan, edhe u bënë paksa të çuditshme, meqë Zeqiri po e studionte Salihun për rolin e homoseksualit.
“Në atë fazë filluam me u pa pak më shpesh, më thirrke ajo, dilshim bashkë, dilshim në darka, ajo me Kekën unë me Kaltërinën edhe e vërejsha që është duke këqyr në një mënyrë të çuditshme. Kur e njeh dikë sidomos ti e di që nëse e ka ndryshuar mënyrën qysh është duke të këqyrë, mundesh me detektu qat’ sen’ shumë lehtë, kur e njeh dikë edhe unë fillova me dyshu mos ajo ka nisë me pasë ndjenja romantike për mu ose naj sen e ngjashme, edhe fillova me u ndi jo rehat”.
Në momentin kur iu bë pyetja për të qenë njëri nga protagonistët kryesorë të filmit, Salihu thotë se e pranoi menjëherë, pa u menduar gjatë.
“Më tha, ngom’ bre se po du me kanë e sinqertë me ty, unë veç ia nisa m’u tutë çka ka me thonë, unë mendojsha diçka tjetër mos është diçka personale edhe po më thotë: A e kishe lujtë rolin e Nolit në film? Unë u shlirova, menjëherë i thash Po!”, ka treguar ai.
Emisioni “Prijmë” është një projekt i përbashkët i Klan Kosovës dhe NDI-së.
The post Keqkuptimi qesharak i Genc Salihut para se të merrte rolin e homoseksualit në filmin “Martesa” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


