Nuk janë vetëm qytetarët e Kosovës që po mashtrohen nga produktet, qofshin ato që blihen në dyqane, apo edhe ato online.
Njëjtë po ndodh edhe në shumë vende të botës.
Sipas organizatës “Europol”, kohëve të fundit, mungesa e vajit të ullirit dhe rritja e çmimeve ka krijuar terren të mirë për prodhuesit mashtrues, raporton Kiks Kosova.
Pas një bastisjeje të koordinuar, në nëntor të vitit të kaluar, autoritetet kishin kapur 260 mijë litra produkte të falsifikuara në të gjithë Italinë dhe Spanjën.
Më pak se dy muaj më vonë, rreth pesëdhjetë restorante u vunë nën hetim për të njëjtën arsye.
Kjo ka ndodhur pasi disa mashtrues patën zëvendësuar vajin e ullirit me vaj farash shumë më të lirë.
Këtë e kishin bërë duke i shtuar klorofil vajit të farave, me qëllim që t’i japë ngjyrë të gjelbër dhe karotenoidë, për t’i shtuar tipare të verdha. Të dyja së bashku kishin krijuar ngjyrën si vaj ulliri.
Megjithatë, sipas ekspertëve të ushqimit, vaji i farës nuk ka shije apo erë, ndërsa vaji i ullirit nuk është kurrë pa shije.
Për shkak të këtyre mashtrimeve, është bërë thirrje që të kontrollohen të dhënat në ambalazhin e shishes së vajit të ullirit ekstra të virgjër.
Po ashtu, është kërkuar që konsumatorët të sigurohen nëse aty ka një datë dhe vendndodhje të prodhimit, derisa të kontrollohen edhe mundësitë e skanimit të kodit QR për të gjurmuar zinxhirin e prodhimit.
Prodhuesit italianë të vajit të ullirit kanë bërë të ditur se prodhimi i këtij produkti ushqimor ka rënë në dy vjetët e fundit, ku vetëm në vitin 2023 globalisht kishin humbur rreth 20 dhe 25% të prodhimit.
Për këtë, ia kanë lënë fajin thatësirës ekstreme në Mesdhe, një rajon që përbën gati 90% të prodhimit të vajit të ullirit ekstra të virgjër në botë.
Të njëjtën goditje e kishin pësuar edhe Spanja, Greqia, Italia, derisa viti 2024 paralajmërohet të jetë edhe më i keq. /Klankosova.tv
The post Bota në krizë për vaj ulliri, vaji i farave shitet si vaj i ullirit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.


