Është arrestuar i dyshuari për 19 vjedhje të ndryshme në Malishevë.
Policia bën me dije se arrestimi i tij është bërë gjatë ditës së djeshme, pas një hetimi të gjerë dhe intensiv.
“Me datën 25.12.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se person/a të panjohur i kishin thyer automjetin e tij në parkingun e një marketi në Malishevë, dhe i kishin vjedhur para dhe gjësende të ndryshme. Sektori i Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Malishevë, pas një hetimi të gjerë dhe intensiv, me datën 07.02.2024 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin J. K., i lindur në vitin 1984 shtetas i Republikës së Kosovës mbi dyshimin e arsyeshëm se ka kryer veprën penale të raportuar”.
I dyshuari ka qenë në kërkim për rastet e tjera të vjedhjes në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Malishevë, dhe sipas komunikatës, për t’i ikur kapjes nga policia, ka përdorur dokumente të rreme.
“Për t’i ikur kapjes nga policia ka përdorur identitete dhe dokumente të rreme të cilat i janë gjetur dhe sekuestruar në momentin e arrestimit. Veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje”, thuhet më tej në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
The post Kërkohej për 19 vjedhje, arrestohet i dyshuari në Malishevë appeared first on Klan Kosova.




