Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, në mënyrë të njëjtë kanë trajtuar të gjitha komunat dhe se nuk ka pasur asnjë anashkalim të ndonjë komune sa i përket investimeve.
Ai mes tjerash tha se komuna që ai e udhëheq ka qenë gjithmonë e anashkaluar sa i përket investimeve nga ana e nivelit qendror dhe se me Qeverinë Kurti po vihet përfundimisht një drejtësi për qytetarët e Gjilanit.
Hyseni në intervistën për Ekonomia Online, tha gjithashtu se gjatë vitit 2024, Komuna e Gjilanit parasheh që t’i realizojë shtatë projekte madhore që kapin shifrën e mbi 60 milionë eurove.
Kryetari i Gjilanit i cili është pjesë e VV-së, e ka quajtur 2023-tën si vit të suksesshëm sa i përket investimeve kapitale dhe shpenzimeve të buxhetit, transmeton Klankosova.tv.
“Ka qenë vit sfidues sikur se për shumicën e institucioneve tjera edhe për komunën tonë, ne kemi shpenzuar rreth 92 për qind të buxhetit në total në fund të vitit, ndërkohë për investime kapitale rreth 70 për qind, pra ka qenë vit relativisht i mirë e i suksesshëm, ndonëse jo i kënaqshëm krahasim me pritshmëritë e planifikimet tona”, tha ai.
Hyseni tha se qeveria nuk po i favorizon komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja sa i përket ndarjes buxhetore për investime kapitale, sipas tij ajo po i trajton në mënyrë të barabartë të gjitha komunat.
Ai tha se Gjilani dhe Anamorava në përgjithësi kanë qenë të anashkaluar nga investimet nga niveli qendror dhe se kjo sipas tij nuk po ndodh me Qeverinë Kurti.
The post Kryetari i Gjilanit: Qeveria Kurti po i trajton barabartë të gjitha komunat, s’ka anashkalim në investime appeared first on Klan Kosova.



