Home > Uncategorized > “Na i shiti banesat e huaja”, lajmërohen në Kiks “viktimat” e tjera të “Burimi Comerc” (VIDEO)

“Na i shiti banesat e huaja”, lajmërohen në Kiks “viktimat” e tjera të “Burimi Comerc” (VIDEO)

//
/
Comments are Off

Feim Ramaj nuk është qytetari i vetëm i cili pretendon se është mashtruar nga kompania ndërtuese “Burimi Comerc” dhe noterja Valdete Ademi. Kundër tyre drejtojnë gishtin edhe Ilir Dukolli dhe Imer Asllani.

Imer Asllani bleu një banesë nga “Burimi Comerc” më 29 maj të 2017-ës. Parakontratën për shitblerjen e saj bashkë me drejtorin e kësaj kompanie, Lulzim Berisha, e nënshkroi në zyrën e noteres Ademi.

Pothuajse gjithçka ishte në rregull deri në vitin 2020, kur banesa e tij, për të cilën lidhi parakontratën, pretendon se u shit pa dijeninë e tij nga “Burimi Comerc” te Agron Halimi.

Ndonëse parakontrata e tij ishte ende aktive, ai akuzon noteren Valdete Ademi, se noterizoi një parakontratë të re për banesën nr.36 në katin e katër, me Agronin, i cili ishte blerësi i dytë.

Gjithë çfarë ndodhi në zyrën e noteres Valdete Ademi, Imeri pohon se e kuptoi rastësisht kur në banesën e tij e hasi duke kryer meremetime Agron Halimin.

Pasi që i kishte kërkuar që të largohet aty, sepse ishte banesa e tij, Imeri pretendon se ka hasur në konflikt të hapur dhe kërcënime.

Pasi që nuk mori sqarime nga vëllezërit Berisha e as nga noterja, Imeri më 24 dhjetor të 2022-ës i denoncoi ata në Polici për mashtrim.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i kanë thënë Kiksit se rasti është në trajtim.

Po atë ditë, përmes një e-maili, ai njoftoi se Odën e Noterëve të Kosovës me pretendimin se noterja ka tentuar të tjetërsojë pronën e tij, duke kërkuar nga ky institucion që të marrë masa ndaj noteres Ademi.

Banesën prej 120 metrave katrorë të cilën e bleu nga “Burimi Comerc”, nuk arriti ta gëzonte as Ilir Dukolli.

Pazarin dhe parakontratën me Lulzim Berishën, për shitblerjen e kësaj banese në Lagjen e Spitalit, Iliri e Lulzim Berisha e nënshkruan më 30 dhjetor të 2019-ës dhe e njëjta u noterizua nga noterja Valdete Ademi, në zyrën e saj.

Mirëpo, edhe kjo banesë rezultoi të ishte e shitur paraprakisht. Sipas parakontratës që posedon Iliri, banesa fillimisht ishte shitur te Valmir Raci, më 24 nëntor të 2017-ës dhe ndonëse parakontrata ishte ende aktive, ajo iu rishit atij dy vjet më pas, më 2019-ën.

Edhe kësaj radhe, të dyja parakontratat janë noterizuar nga noterja Valdete Ademi.

Por as Iliri e as Valmiri nuk e morën dot pronësinë e saj. Kjo pasi që, Iliri pretendon se për banesën e tij ekziston edhe një parakontratë tjetër, e lidhur nga “Burimi Comerc” dhe një blerës i tretë.

Meqë banesa të cilën e pagoi ishte shitur e rishitur te blerës të tjerë, nga “Burimi Comerc” atij i premtuan një banesë tjetër.

Banesën e re e mori, por jo me metrat për të cilat pagoi, e për të cilat nënshkroi parakontratën. Iliri pretendon se “Burimi Comerc”, një dhomë nga banesa e re ia ka shitur një blerësi tjetër, çfarë ka bërë që banesa e re të jetë 22 metra katrorë më e vogël.

The post “Na i shiti banesat e huaja”, lajmërohen në Kiks “viktimat” e tjera të “Burimi Comerc” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights