Drita – Gjilani vazhdon të mbetet ndër duelet më të zjarrta në futbollin e Kosovës. Përtej kësaj, deri këtë edicion që nis më 10 gusht, ky ballafaqim ishte edhe i vetmi derbi lokal në katër vitet e fundit që e kishte elita e futbollit kosovar.
Megjithatë edicioni 2024/2025 e prodhon edhe një tjetër të tillë, pasi kampioni aktual, FC Ballkani do t’i ketë katër përballje me FC Suhareken e promovuar sivjet në Albi Mall Superligë, transmeton klankosova.tv.
Karakteristikë e viteve të fundit është mungesa e një derbi të qytetit në Prishtinë. Që nga rënia e Flamurtarit në sezonin 2019-2020, asnjë skuadër tjetër e kryeqytetit nuk ka arritur të inkuadrohet në Superligë, nga katër ekipe që garojnë në Grupin A të Ligës së Parë (Flamurtari, 2 Korriku, Ramiz Sadiku e Prishtina e Re).
Ndërkaq edicioni i fundit që qendra më e madhe e shtetit kishte më shumë se dy skuadra në Superligë, ishte ai 2008/2009 kur 2 Korriku po shijonte herën e fundit në mesin e më të mirëve në Kosovë, kurse aty ishin edhe Flamurtari e Prishtina.
Ndonëse edhe liga ishte më e zgjeruar, sezoni i parë pas luftës e pasuronte elitën kosovare në futboll me plot 5 klube, teksa në fund të kampionatit vetëm 2 Korriku nuk e siguronte mbijetesën. Prishtina, Flamurtari, Kosova e Besëlidhja ishin skuadrat që vazhdonin t’i jepnin kryeqytetit ndeshje derbi, njofton klankosova.tv.
Prishtina e Re është klubi që sezonin e kaluar arriti deri në ndeshjen finale të barazhit, por që u mposht nga Feronikeli’74 dhe nuk arriti të inkuadrohet në Superligë.
Ndërkohë, Prishtina mbetet skuadra e vetme nga përbërja aktuale e Superligës që asnjëherë nuk ka rënë në ndonjë kategori më poshtë se ajo elitare.
The post Kryeqyteti për të pestin vit me radhë pa derbi lokal në Superligë appeared first on Klan Kosova.