E thjeshtë, e matur, me një të kaluar dhe një të ardhme të jashtëzakonshme.
Nga koncerti në skenat e mëdha të muzikës, koncerti inaugurues i Presidentit francez Emmanuel Macron, e deri tek finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës, mezzo-sopranoja Farrah El Dibany nga Egjipti zbriti edhe në Prishtinë.
Ajo na ringjalli edhe një herë të madhen Nexhmije Pagarusha në kuadër të “Ramë Lahaj Inernational Opera Festival”.
“Nuk e di si por kjo është hera ime e parë në gjithë regjionin, Kosovë dhe Ballkan, por gjithmonë kam dashur ta vizitoj rajonin sepse gjithmonë më ka pëlqyer muzika ballkanike, por nuk e di pse skam ardhur. Kam qenë në Greqi dhe ky ishte maksimumi dhe nuk kam shkuar më larg! Por, mendoj që ky festival ishte hyrje perfekte për ta përjetuar Kosovën dhe rajonin”, ka deklaruar mezzo-sopranoja për “Ora Shtatë” në Klan Kosova.
Ajo tha më tej se ka dëgjuar për festivalin nga Ramë Lahaj sepse tha që janë shokë dhe e njohin njëri-tjetrin nga Parisi qysh moti.
“E di që ai gjithmonë donte ta realizonte këtë festival, e kam përcjellë festivalin sesi po zhvillohet, jam impresionuar dhe jam e gëzuar për të. Për mua nuk është rëndësishme se sa është një teatër i madh apo sa e madhe është një skenë, por cila është audienca! Kam pas ndjenjën dhe e kam ditur që audienca këtu në Kosovë do të jetë shumë, shumë mikpritëse dhe shumë e ngrohtë, faktikisht impresive”, u mezzo-shpreh sopranoja Farrah El Dibany.
Farrah performoi tri këngë të së madhes Nexhmije Pagarusha duke e konsideruar si një privilegj dhe barrë se a do të shkojë gjithçka në lartësinë e duhur.
“Për Nexhmijen kam dëgjuar nga Ramë Lahaj, ishte ai i cili më njoftoi me muzikën e saj sepse kishte idenë që unë të këndoja këngët e saja. Jam shumë e gëzuar që në momentin që i kam dëgjuar këngët e saj isha e lidhur me të, zërin e saj dhe këngët e saj. I kam dëgjuar afro 25 këngë të saj dhe vetë i kam përzgjedhur tri këngë që i këndova mbrëmë vetë sepse ndjeva një afërsi me këto këngë”.
“Ishte një sfidë të këndoj në gjuhën shqipe, jo pse gjuha është e vështirë, gjuha ishte diçka e lehtë në zërin tim dhe në mua sepse jam ndier shumë e shtëpisë me këto këngë dhe gjuhën, por ishte sfidë, përgjegjësi, sepse nuk dua të vij të këndoj këngë të një muzikanteje ikonike si Nexhmije Pagarusha dhe të mos i realizoj mirë, nuk e dua këtë, nëse do ta bëj, do ta bëj mirë dhe t’i bëj njerëzit ta duan se si unë i këndoj këngët. Për mua, njerëzit dhe eksperienca ishin të jashtëzakonshme”, tha Farrah El Dibany për Klan Kosova.
Ajo tha se shpreson që të vijë sërish në Kosovë me një repertor më të madh nga rajone të ndryshme “sepse gjithmonë dua që të ndërtoj ura dhe kultura”.
“Do doja të vija të performoj më shumë këngë të Nexhmijes sepse tri këngë nuk ishin të mjaftueshme për mua, por dje ishte një test por edhe të perfomoj këngë të vendit tim, Egjiptit, nga Franca, Italia, këngë të ikonave të mëdha sikur Nexhmija por të këtyre vendeve”.
Dy vjet më parë, Farrah këndoi në inaugurimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe pastaj në finale e Kupës së Botës në futboll mes Argjentinës dhe Francës.
Këto dy ngjarje, ajo i përshkruan si emocionin më të madh që e ka përjetuar ndonjëherë.
“Këto dy momente erdhën në minutën e fundit, që të dyja dhe nuk isha e përgatitur mentalisht dhe psikologjikisht për to, por mendoj që kjo ishte e mira sepse mendoj që për këto lloj gjërash që janë të pazakonta dhe jo tipike duhesh të dalësh dhe t’i bësh pa përgatitje për atë ngjarje”.
“Nuk kam pasur kohë të jem e nervozuar ose në tension, isha e ngazëllyer dhe i kam thënë vetes: Duhet të performoj, duhet të jem perfekte, nuk duhet të gaboj sepse është vetëvrasëse”, theksoi mezzo-sopranoja egjiptiane.
Performanca në finalen e Kupës së Botës, për të ishte diçka ishte shumë ndryshe. Ajo thotë se ishte shumë historike sepse ishte hera e parë në histori që dikush po intononte himnet drejtpërdrejtë.
“Të jesh pranë 85 mijë njerëzve dhe të këndosh me ta, dhe të mos kesh mundësi ta dëgjosh muzikën nga zëri i audiencës por vetëm duke e dëgjuar instinktin tim dhe brendësinë, ishte shumë e fortë dhe ngazëlluese”, tha mezzo-sopranoja Farrah El Dibany. /Klankosova.tv
The post Farrah El Dibany, nga këndimi në finalen e Kupës së Botës deri te këngët e Nexhmije Pagarushës (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.