Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpërfaqur edhe një herë dallimet me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Osmani pasi u pyet nga KosovaPress tha se nuk e di a ka kohë t’i përmend në detaje të gjitha dallimet me kreun qeveritar. Ajo theksoi se dallimet kryesore janë sa i përket qasjes dhe metodave të përdorura si në dialog, politikë të jashtme por edhe relacioneve me aleatët.
Sipas Osmanit, qëllimi i saj është që përkrahë secilin veprim të institucioneve që është në mbrojtje të kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, por gjithmonë duke respektuar kontributin e aleatëve të sigurisë së Kosovës.
Ajo nënvizoi se Kosova mund të mbrojë vetveten, sovranitetin dhe shtetësinë e saj vetëm në bashkëpunim me aleatët.
Osmani: Kemi dallime me Kurtin, Kosova mund të mbrojë shtetësinë e saj vetëm me aleatët
“Nuk e di sa kemi kohë me i përmend në detaje temat të cilat ngërthehen brenda pyetjes suaj. Ne me kryeministrin në vazhdimësi gjatë këtyre tri viteve e gjysmë jemi takuar për të diskutuar qëndrimet në dialog. Ka tema për të cilat jo 100 për qind jemi pajtuar, por ka edhe tema që jemi pajtuar. Mendoj se është normale ndonjëherë që sa i përket qasjes që përdornim në diskutime që mos të kemi identike, pasi jemi njerëz të ndryshëm. Sa i përket dallimeve më konkrete ato i kam thënë publikisht. Qëllimi im si presidente është që të përkrahë çdo veprim të institucioneve të tjera të Kosovës të cilat janë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, në mbrojtje të sovranitetit, në mbrojtjen e integritetit territorial dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Të gjitha këto munden të bëhen duke respektuar kushtetuta dhe duke respektuar kontributi i aleatëve të sigurisë. Si presidente e kam mbajtur këtë qëndrim dhe kjo nuk është llafe, llafe por është një realitet të cilin nuk mund të kontestojë askush. Realiteti i Kosovës mund të dëshmojë këtë se Kosova mund të mbrojë vetveten, sovranitetin, shtetësinë e saj në bashkëpunim me aleatët”, theksoi ajo.
Madje, Osmani në një moment pasi u pyet nga gazetarët për një deklaratë të ministres Donika Gërvalla, ku në një koncert me mërgatën të martën, pasi përfundoi performancën këngëtarja Dafina Zeqiri, tha “pasi dëgjuam që Dafina e këndoi këngën e presidentes, llafe, llafe”, e para e vendit ia ktheu kryediploamtës po ashtu me një këngë të këngëtares Zeqiri “Me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve”.
Osmani: Dafina ka këngë edhe të tjera, me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve
“Nuk do të komentoja raporte por do të thosha se kemi dallime në qëndrime të cilat janë të qarta dhe janë publike. Nuk është në interes të qytetarëve dhe as Kosovës që të mos thuhen publikisht. Por për detaje ndoshta ndonjëherë tjetër. Nëse doni pak me këngë të dafinës me vazhdua e ka një të re tash para 1 muaji. ‘Me kast me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’ ka edhe këngë të tjera Dafina”, theksoi Osmani.
Në anën tjetër, e para e vendit u shpreh e habitur se qysh ende s’ka aktakuzë për Millan Radoiçiq dhe të tjerëve për sulmin terrorist në Banjskë.
Osmani: Vështirë të kuptohet pse s’ka aktakuzë ende për Radoiçiq
“Ne nuk mund të presim që Serbia të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në ndjekje penale, aktakuza apo burgosje të personave që kanë kryer aktin e agresionit kundër Kosovës. A e dini pse? Sepse janë politikanët në krye të Serbisë që kanë urdhëruar një sulm të tillë. Kjo dihet mirëfilli. Por sa i përket Kosovës është çështje vështirë të kuptohet. Me gjithë dëshmitë që janë mbledhur nga institucionet e sigurisë, partneriteti me aleatët dhe deri tani mos të ketë aktakuzë për një person që ka pasur prova edhe më herët që t’i ngritët aktakuza. Përkundrazi ka ndodh një gjë e paprecedent pasi i është tërhequr urdhër arresti për një arsye të padëgjuar më parë taktike”, përfundoi ajo./KosovaPress/