Home > Uncategorized > Shaip Shala: Gazetari 75-vjeçar që nuk e braktisi asnjëherë fjalën e shkruar

Shaip Shala: Gazetari 75-vjeçar që nuk e braktisi asnjëherë fjalën e shkruar

//
/
Comments are Off

Në një epokë ku ndryshimet teknologjike dhe shoqërore po ndodhin me një ritëm marramendës, rrallëherë gjejmë individë që vazhdojnë të mbeten të lidhur me zanatin e tyre me të njëjtin pasion si në ditët e para.

Një prej tyre është Shaip Shala, gazetar veteran nga Rahoveci, i cili, pavarësisht se ka arritur moshën e pensionit, nuk e ka lënë kurrë mënjanë stilolapsin, fletoren dhe së fundmi edhe tastierën e kompjuterit.

Ky 75-vjeçar ende ndjek ëndrrën e tij të gazetarisë, me të njëjtin zell dhe përkushtim si në fillimet e karrierës së tij, vite më parë.

Në një intervistë ekskluzive për KlanKosova.tv, Shala ndan me ne përvojën e tij të pasur si gazetar, duke përshkruar ndryshimet që ka parë ndër vite dhe arsyen pse vazhdon të jetë aktiv në këtë profesion që e do aq shumë.

Përmes fjalëve të tij, ne zbulojmë jo vetëm një përvojë të jashtëzakonshme jetësore, por edhe një frymëzim për brezat e rinj që ndjekin rrugën e gazetarisë.

Shaip Shala nuk ishte gjithmonë gazetar. Para se të gjente thirrjen e tij në këtë profesion, ai punonte në ish-fabrikën e plastikës në Rahovec. Por, edhe si nxënës i shkollës fillore, thotë se ka treguar një prirje të jashtëzakonshme për gazetarinë.

“Lexoja shumë libra e gazeta dhe shkruaja për gazeta boshnjake, serbe dhe kroate”, rrëfen ai për KlanKosova.tv.

Karriera e tij si gazetar aktiv filloi në prill të vitit 2001 në gazetën “Zëri”. Falë redaktorit të sportit, Lulzim Shala, Shaipi u bë korrespondent i sportit për komunën e Rahovecit, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme. Më pas, ai shkroi për rubrikën e kulturës në “Zëri Javor”, ku fitoi përvojë të madhe dhe u bë një emër i njohur në fushën e gazetarisë.

Për Shaipin, gazetaria e shtypit ka qenë gjithmonë një profesion i ndërtuar mbi profesionalizëm, përgjegjësi dhe përmbushjen e kodeksit të gazetarisë. Megjithatë, ai shprehet se e vëren me shqetësim se sot, në epokën e portaleve digjitale, ka një mungesë të redaktimit, lektorimit dhe të teksteve nga vendi i ngjarjes.

“Ndryshimi është drastik”, thotë ai, “duke vërejtur degradimin e standardeve profesionale që dikur e bënin gazetarinë një profesion më të respektuar”.

Çfarë ju motivon të vazhdoni të punoni edhe pas pensionimit? Si ndiheni kur jeni ende aktiv në profesion?

Gazetaria edhe në kohën si pensionist dhjetë vjet është infuzion për mua, sepse gazetarinë gjithmonë e konsideroja si profesion më të mirë në botë, joshës dhe interesant, i cili më ka krijuar si emër dhe mbiemër kudo në Kosovë.

Si e përkufizoni etikën në gazetari? Si ka evoluar për ju ndër vite?

Etika në gazetarinë mediale ka denigruar shumë, sidomos gazetaria sportive, ku në debate sportive, por edhe ato politike, nuk ka kulturë komunikimi e as seriozitet, por ka grindje, ofendime dhe mungesë meritokracie, ku lejohet që ngjarje të rëndësishme sportive t’i komentojnë prijësit fetarë, këngëtarë dhe shumë të tjerë jo të prirë.

Si e shihni të ardhmen e gazetarisë në vendin tonë?

Mjerisht, momentalisht në gazetari sot nuk ka profesionalizëm si në gazeta shtypi, nuk ka sinqeritet dhe përgjegjësi, tekstet janë jo nga dora e parë, tendencioze dhe jo të pavarura, qoftë në gazetari sportive, qoftë atë rajonale.

Çfarë mendoni për rolin e rrjeteve sociale në gazetari? A ndikon kjo në cilësinë e lajmeve dhe raportimit?

Mjerisht përsëri, po kthehem në përgjigjet e mëparshme, gazetaria elektronike ka degraduar atë të shtypit, në mungesë të shumë kritereve që i ceka më herët.

Cilat kanë qenë disa nga momentet më të rëndësishme dhe më sfiduese që keni përjetuar si gazetar?

Kur shkruaja për gazetën “Lajm”, një periudhë prej dy vjetësh mbuloja komunat e Malishevës, Rahovecit dhe Suharekës. Nga mëngjesi ndonjë ditë ishte “luftë me kohën” për të mbërritur në këto qytete për t’i përcjellë ngjarjet, por çdoherë pa vonesë e kam kryer punën.

Sakrificë ishte dy-tre herë udhëtimi me këmbë natën nga Suhareka, mbase nuk ka pasur qarkullim autobusi, por të gjitha i kam përballuar sepse në gazetari nuk i kam llogaritur sfidat e sakrificat, sepse e dua ende këtë profesion më të mirë në botë.

A ndiheni nostalgjik për kohët e kaluara?

Nostalgjia për gazetarinë ende nuk ekziston tek unë, mbase sepse ende po shkruaj në Facebook, gjegjësisht në faqen time InfoRahoveci, e kur do të ndalem një ditë me shkrime, normalisht do paraqitet dhe nostalgjia.

A je i kënaqur me praninë e lexuesve aty dhe a ke ndonjë përfitim monetar?

Po jam i kënaqur.

Jo, nuk po fitoj asgjë monetare. Fitimi është ushtrimi i gazetarisë dhe kënaqësia personale, shoqërimi me të rinj, mbase gjithë jetën dhe vitet e mia ua dedikoj të rinjve rahovecas, edhe sot e kësaj dite.

A keni pasur ndonjë rast kërcënimi serioz ndaj jush, për shkak të profesionit?

Vetëm një kërcënim verbal.

Po raste tentativash për t’ju “blerë” ndonjë pushtet?

Jo, asnjëherë.

Përshkruajeni një ditë tuajën të zakonshme

Tash si pensionist, gazetarinë po e ushtroj me kënaqësi sa për shpirtin tim, dhe konsideroj se nuk është as mirë e as lehtë të largohem prej shkrimeve. Aktivisht jam duke i përcjellë ngjarjet sportive në Rahovec dhe mbledhjet e Kuvendit Komunal, por jam i pranishëm edhe në aktivitete tjera kulturore ose tryeza.

Çfarë këshillash do t’u jepnit gazetarëve të rinj që sapo po hyjnë në këtë profesion?

Gazetarët e rinj i këshilloj që ta duan profesionin më të mirë në botë, me përgjegjësi e seriozitet, pa marrë parasysh sfidat me të cilat do të ballafaqohen.

A ka pasur ndonjë ngjarje apo histori specifike që e konsideroni si kulmin e karrierës suaj?

Kulmi i karrierës është puna në gazetari, të cilën e kam filluar me sport dhe në këtë fushë do e përfundoj! Kur? Deri sa të më shkruajnë gishtat! Unë nuk do e lë gazetarinë, por do vijë një ditë kur ajo do të më lë mua!, zotohet Shala për KlanKosova.tv.

Përveç përkushtimit të tij ndaj gazetarisë, Shaip Shala ka treguar edhe një anë tjetër të karakterit të tij të jashtëzakonshëm: deri më tani ka dhuruar gjak plot 55 herë.

Ky akt i vazhdueshëm humanizmi tregon shpirtin e tij të ndihmës ndaj të tjerëve. Shala shprehet se pavarësisht moshës, është ende i gatshëm ta vazhdojë këtë traditë, duke dhuruar gjak sa herë që është e nevojshme.

Për të, ky është një detyrim moral dhe një mënyrë për të kontribuar për shoqërinë, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij si punëtor, gazetar dhe qytetar i vyer.

The post Shaip Shala: Gazetari 75-vjeçar që nuk e braktisi asnjëherë fjalën e shkruar appeared first on Klan Kosova.

Verified by MonsterInsights