Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kuvendi i Kosovës e ka miratuar ligjin e buxhetit për 2025 me dy shkelje ligjore, siç tha ai pa i adresuar nevojat kryesore dhe pa i trajtuar dhjetëra kërkesa buxhetore.
Ai mes tjerash theksoi se “sikur të funksiononte si duhet rendi kushtetues, Zyra e Presidencës do t’ia kthente Kuvendit këtë ligj për shqyrtim të tretë”.
“ Shkeljet ligjore lidhen me nenin 33, i cili e ndryshon ligjin e pagave duke e shtrembëruar strukturën hierarkike të pagave, si dhe me nenin 35 me të cilin ndryshohet ligji i tatimit në pronë. Të dyja këto raste mund të adresohen vetëm duke ndryshuar ligjet përkatëse”.
“Mosadresimi i nevojave kryesore buxhetore lidhet me buxhetimin e pamjaftueshëm të: (i) pagave, pensioneve dhe skemave sociale për shkak të inflacionit; (ii) projekteve kapitale që kanë mbetur në gjysmë për katër vite; (iii) skemës së sigurimeve shëndetësore, arsimit dhe shëndetësisë në përgjithësi; (iv) kontratës kolektive, për të cilën komunat po paguajnë përmes vendimeve përmbarimore; (v) ushtrisë për të përmbushur planin e avancimit të dakorduar me aleatët etj”.
“ Në Komisionin për Buxhet kanë arritur dhjetëra kërkesa të organizatave buxhetore qendrore e lokale dhe nga deputetët. Përveç disa kërkesave të deputetëve të komuniteteve, të cilat janë miratuar pasi duket se ata deputetë e kanë kushtëzuar votën e tyre me miratimin e kërkesave të tyre, asnjë kërkesë tjetër nuk është miratuar. Mosmiratimi në veçanti i kërkesave të institucioneve të pavarura kushtetuese bie ndesh me parimin e pavarësisë kushtetuese të atyre institucioneve. Kurrë në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur të miratohet kështu buxheti pa asnjë konsideratë ndaj deputetëve dhe organizatave buxhetore”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.
The post Hoti thotë se presidentja do të duhej t’ia kthente Kuvendit ligjin e buxhetit: Janë bërë dy shkelje appeared first on Klan Kosova.