Futbollisti Rron Broja është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 18-të të Superligës së Kosovës nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori Albi Mall.
Kapiteni i FC Dritës, Broja, u vlerësua për performancën e tij të shkëlqyer në ndeshjen kundër FC Feronikeli 74, e cila përfundoi me fitoren 2:1 për ekipin e tij.
Komisioni i Veteranëve të Futbollit vlerësoi Brojën për golin e barazimit dhe asistimin në golin e fitores, duke e njohur si lojtarin më të mirë të javës, transmeton Klankosova.tv.
Pas marrjes së çmimit, Broja ka shprehur mirënjohjen për vlerësimin, duke theksuar se ekipi i Dritës ka pasur një stinor të suksesshëm, por se për të mbajtur pozitat e para, skuadra duhet të vazhdojë të punojë shumë.
“Për mua është nder dhe privilegj të jem kapiten i FC Dritës, ku dihet që presioni është shumë i madh, sepse çdo vit luajmë për trofe, mirëpo mundohemi që, bashkë me gjithë ekipin, t’i arrijmë synimet tona me shumë punë. E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, sepse dihet forma e lartë e Feronikelit 74 në ndeshjet e fundit dhe goli i parë që pranuam në minutat e para të ndeshjes na vështirësoi punën, sepse gjithmonë është më vështirë ta rikthesh rezultatin. Por treguam karakter të lartë, dhe e gjithë ekipa dha maksimumin, çka na u shpërblye me 3 pikë të reja për skuadrën tonë”, tha Broja.
The post Rron Broja shpallet “Ylli i Javës” appeared first on Klan Kosova.