Grupi amerikan i njohur për muzikën e tij bluegrass, “Never Come Down”, ka ardhur për herë të parë në Kosovë si pjesë e një turneu evropian të organizuar nga American Music Abroad (AMA) dhe American Voices.
Ky është koncerti i tyre i parë në Evropë, dhe pritja e ngrohtë që kanë marrë ka qenë mbresëlënëse për ta.
Në një intervistë për Telegrafin, Crystal Lariza, këngëtarja kryesore, dhe Joe, një nga anëtarët e grupit, ndanë përvojat e tyre të para në Kosovë dhe emocionet që sjell ky turne.
Crystal Lariza e përshkruan ardhjen në Kosovë si një përvojë të veçantë: “Të gjithë kanë qenë shumë të ngrohtë, mikpritës dhe të sjellshëm. Është vërtet bukur të ndihesh i mirëpritur në këtë mënyrë. Ushqimi këtu është fantastik”.
Ajo tregon se emri i grupit, Never Come Down, simbolizon dëshirën e pandalshme për të performuar dhe për të qëndruar gjithmonë në skenë: “Thjesht duam të vazhdojmë të luajmë dhe të luajmë pafundësisht.”
Lariza shpjegon se diversiteti muzikor i anëtarëve të grupit e bën këtë eksperiencë të pasur dhe unike. Ajo e konsideron bluegrass-in si gjininë që i bashkoi dhe i frymëzoi të krijonin muzikë origjinale, duke ndërthurur influenca nga soul-i, folk-u dhe Americana.
Joe, nga ana tjetër, shpreh emocionin e tij për koncertin në Kosovë, duke theksuar vendin unik të performancës: “Është hera jonë e parë që luajmë në një strehë kundër bombave, dhe kjo është mjaft emocionuese. Do të luajmë muzikën tonë origjinale, që përfshin bluegrass, folk dhe Americana”.
Ai tregon se grupi është shumë mirënjohës për mundësinë që u është dhënë për të krijuar lidhje përmes muzikës: “American Music Abroad dhe American Voices na dhanë këtë mundësi të jashtëzakonshme, dhe jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij turneu”.
Turneu i tyre përfshin performanca në pesë vende të Ballkanit: Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Slloveni dhe Bosnjë e Hercegovinë. Pas koncertit të suksesshëm në Kosovë, ata do të vazhdojnë në Pejë për një tjetër performancë, duke sjellë energjinë e tyre në qytete dhe hapësira të ndryshme, përfshirë një qendër për të moshuarit.
Për të gjithë ata që i ndoqën apo do të ndjekin në performancat e ardhshme, Lariza ka një ftesë të hapur: “Ju lutem, ejani dhe na përshëndesni. Jemi miqësorë dhe do të donim t’ju takonim. Është një shkëmbim social, jo vetëm ndarje e muzikës sonë”.
“Never Come Down” janë jo vetëm artistë të pasionuar, por edhe ambasadorë kulturorë, që sjellin një pjesë të Amerikës përmes tingujve të tyre dhe ndërtojnë ura miqësie përmes muzikës. Kosova ishte stacioni i parë i një udhëtimi emocionues, dhe përvoja e parë në këtë vend i ka lënë ata të magjepsur./Telegrafi
The post Grupi “Never Come Down” vjen për herë të parë në Kosovë: Bluegrass amerikan dhe mikpritja kosovare në një koncert të paharrueshëm appeared first on Klan Kosova.