Home > Lajme > Gjykata në Prishtinë shpall të pafajshëm 28 të akuzuar për korrupsion në rastin e “Patentë shoferëve”

Gjykata në Prishtinë shpall të pafajshëm 28 të akuzuar për korrupsion në rastin e “Patentë shoferëve”

///
Comments are Off

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm 28 persona të akuzuar në rastin e njohur si “Patent Shoferët”, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin. Aktgjykimi lirues u shpall të premten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku.

Sipas gjykatëses Dermaku, provat kryesore të Prokurorisë ishin të papranueshme, për shkak se ishin marrë në kundërshtim me procedurën ligjore. “Gjykata ka marrë aktvendim me të cilin ka revokuar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, të dëshmitares bashkëpunuese Adleina Gashi, dhe ka shpallur provat të papranueshme – konkretisht, masat e fshehta të përgjimeve, pasi ato janë marrë pa aktvendim për fillimin e hetimeve”, deklaroi ajo.

Ajo sqaroi se masat e ndërmarra nga hetuesia, përmes një personi të infiltruar, ishin bërë pa vendim ligjor për fillimin e hetimeve. “Gjykata ka konstatuar se masa për sigurimin e veprës penale, edhe pse është realizuar përmes një personi të infiltruar, është ndërmarrë pa aktvendim për fillimin e hetimeve”, shtoi Dermaku.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar avokati i Besfort Pozhegut, Besnik R. Berisha.

Më tej, prokurorja ka theksuar se “aktakuza është ngritur mbi bazën e masave të fshehta. Të pandehurit nuk i dinë veprimet inkriminuese, ndërkohë që aktakuza është përpiluar në mënyrë të përgjithshme, përkundër faktit që ajo është kthyer për plotësim.”

Për këto arsye, gjykata refuzoi edhe kërkesën e Prokurorisë për anulimin e testit të patentë shoferëve: “Në bazë të këtyre arsyeve ligjore, Gjykata ka ardhur në përfundim se, për shkak të mosprovimit të barrës së fajësisë, është refuzuar edhe propozimi për anulimin e testit për patentë shofer, ashtu siç është kërkuar në propozimin e Prokurorisë.”

Ndryshe, në seancën e 14 qershorit 2023, 28 nga 31 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzoheshin 31 persona, ndër të cilët: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Premtim Topalli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.

Për Burim Jasharin, Fejzullah Ejupin dhe Bashkim Jetullahun, procedura penale ishte veçuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit

/GazetaSinjali/

Verified by MonsterInsights