Trupi Gjykues në Dhomat e Specializuara ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kërkesat ishin paraqitur më 3 dhe 4 prill 2025, menjëherë pas përfundimit të dëgjimeve të dëshmitarëve të Prokurorisë. Vendimi ende nuk është bërë publik, por përmendet në dokumentin më të fundit të kryeprokurores Kimberly West, që kërkon vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin.
Sipas këtij dokumenti, Paneli vlerëson se paraburgimi mbetet “i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, duke argumentuar se vetëm në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të monitorohen komunikimet në atë mënyrë që të minimizohet rreziku për pengim të procedurës apo kryerje të veprave të tjera penale.
Refuzimi i kësaj kërkese vjen pavarësisht faktit që Policia e Kosovës kishte dorëzuar dokumentacion të plotë për të dëshmuar gatishmërinë dhe aftësinë për mbikëqyrjen e të akuzuarve gjatë lirimit të përkohshëm. Megjithatë, Prokuroria e Specializuar ka deklaruar se Policia e Kosovës “nuk është e aftë të sigurojë zbatimin e një mase të tillë”.
Reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), e cila ka shprehur “indinjatën dhe shqetësimin e thellë” ndaj këtij vendimi, duke e quajtur atë një tjetër dëshmi të padrejtësisë që po u bëhet drejtuesve të UÇK-së.
“Mënyra se si po trajtohen bashkëluftëtarët tanë nga kjo gjykatë nuk është vetëm e padrejtë, por një hap prapa në përpjekjet e Kosovës për njohjen ndërkombëtare të luftës së saj për liri”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
Kjo organizatë i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare “që të shqyrtojë këtë çështje me objektivitet dhe drejtësi, duke i dhënë fund diskriminimit dhe trajtimit të padrejtë ndaj liderëve të UÇK-së”.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë luftën tonë të lavdishme për liri dhe do të qëndrojmë pranë atyre që sakrifikuan gjithçka për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës”, përfundon deklarata.
Kujtojmë se Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi po qëndrojnë në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen tashmë për më shumë se 4 vjet e gjysmë, në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tyre në Dhomat e Specializuara në Hagë.