Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar sot, në qytetin e Gjakovës, ku një person është ndaluar nga Policia gjatë patrullimit dhe ka pranuar se posedonte një armë zjarri pa autorizim.
Sipas burimeve të Sinjalit, më 25 maj 2025, rreth orës 16:45, në rrugën “Gjergj Sokoli”, një patrullë policore ka ndalur një veturë për kontroll të zakonshëm.
Gjatë komunikimit me pasagjerët, policia ka pyetur nëse posedojnë ndonjë mjet të ndaluar ose të paligjshëm, me ç’rast Hamit Mehmeti, rreth 46-vjeçar, ka deklaruar se ka me vete një armë zjarri.
I dyshuari është shoqëruar menjëherë në Stacionin Policor, ndërsa arma është sekuestruar nga patrulla në vendin e ngjarjes. Nga verifikimi ka rezultuar se ai nuk posedonte leje për armën, çka përbën vepër penale.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori Kujdestar, i cili ka iniciuar rastin si “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet janë duke vazhduar për të verifikuar origjinën e armës dhe rrethanat e mundshme të posedimit.