Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh publik ku shpreh besimin se “ditët e mira do të agojnë”, duke theksuar se opozita nuk do të zbrapset përballë propagandës apo ofendimeve.
Në një postim në Facebook, Haradinaj kritikoi ashpër qeverinë aktuale, duke e akuzuar për keqpërdorim të lirisë së fjalës dhe për, siç tha ai, “dalldisje në kërkim të pushtetit”.
Sipas tij, opozita mbetet e vendosur në angazhimin e saj dhe nuk do të ndalet pavarësisht përpjekjeve për diskreditim.
Mesazhi i Haradinajt, ndër të tjera, përfshin këto theksime:
- Nuk ka humbur besimin as në periudhat më të vështira gjatë luftës, duke u mbështetur tek bashkëluftëtarët, familjet e tyre dhe populli.
- Miqtë ndërkombëtarë kanë qenë një shtyllë e rëndësishme gjatë formimit të institucioneve të Kosovës.
- Opozita, sipas tij, është e sinqertë në angazhimin e saj dhe nuk zmbrapset nga propaganda politike.
- Ai akuzoi qeverinë se ka abuzuar me lirinë e fjalës dhe e ka çuar kërkimin për pushtet në “ekstrem”.
Haradinaj theksoi se shembullin e keq të qeverisjes aktuale, siç e quan ai, do ta ndryshojë “me rrugën e demokracisë dhe me votën e popullit”.
Në përfundim të mesazhit, ai u zotua për një rikthim të shpresës dhe zhvillimit, duke thënë se opozita do të qëndrojë “krah njëri-tjetrit”, do të forcojë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë dhe do të punojë për një Kosovë më të zhvilluar.





