Bashkimi Evropian ka përgatitur draft konkluzat për procesin e zgjerimit, ku përfshihet edhe Kosova. Në dokument theksohet se Kosovës i kërkohet të intensifikojë reformat dhe të shënojë përparim konkret në rrugën drejt integrimit evropian.
Një nga kërkesat kryesore është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, theksohet nevoja për përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, funksionimin e institucioneve dhe administratën publike.
Draft konkluzat vlerësojnë zhvillimin korrekt të proceseve zgjedhore, por nënvizojnë se ende mungon përparimi i mjaftueshëm politik dhe institucional për të çuar përpara procesin e integrimit. Dokumenti pritet të miratohet zyrtarisht nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për hapat e ardhshëm të Kosovës.







