Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Bashkimi Evropian do t’i heqë plotësisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës në fund të muajit janar.
Pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel, Osmani tha se ka marrë konfirmim të drejtpërdrejtë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen në tërësi gjatë muajit janar.
Ajo bëri të ditur se një pjesë e konsiderueshme e masave janë hequr tashmë, ndërsa pjesa e mbetur do të largohet në fund të janarit. Sipas saj, paralelisht do të zhbllokohen edhe fondet evropiane, ku një pjesë e madhe do të lirohet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër në fund të muajit janar.
“Të gjitha masat ndaj Kosovës do të hiqen. Një pjesë e madhe hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë menjëherë dhe pjesa tjetër në fund të janarit”, ka deklaruar Osmani.
Të martën, Bashkimi Evropian hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Sipas një letre nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte, si rezultat i asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin tetor.






