Një grup eurodeputetësh ka dërguar një letër zyrtare drejtuesve të Bashkimit Evropian ku kërkojnë që të hiqen menjëherë të gjitha masat ndëshkuese që janë vendosur ndaj Kosovës. Iniciativën e ka udhëhequr eurodeputeti Riho Terras i cili së bashku me kolegë të tjerë ka theksuar se këto masa godasin shoërinë civile, bizneset e vogla, sektorin e energjisë dhe edukimin, ndërkohë që politikanët nuk goditen drejtpërdrejt.
Në letrën e tyre, eurodeputetët argumentojnë se masat e vendosura në vitin 2023 kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe joefektive për arritjen e qëllimeve të BE-së. Ata theksojnë se ndikimi negativ është ndjerë ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve dhe se heqja e tyre është e nevojshme përpara zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen më 28 dhjetor.
Sipas eurodeputetëve, heqja e masave do të ndihmonte në rivendosjen e besimit ndaj Bashkimit Evropian dhe do të mundësonte një klimë më të mirë për dialogun politik dhe përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Partitë kryesore politike në Kosovë kanë shprehur gjithashtu shqetësim lidhur me ndikimin e masave dhe kanë kërkuar zgjidhje prej institucioneve të BE-së.





