Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur të mbledhë më shumë se një miliard euro tatime brenda këtij viti, shifër që konsiderohet rekord historik për institucionin. Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se kjo performancë tregon rritje të përgjegjshmërisë fiskale dhe mbështetje të sektorit të biznesit në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, të hyrat nga taksat dhe tatimet kanë tejkaluar pritshmëritë fillestare dhe janë më të larta se vitet e kaluara, duke kontribuar në stabilitetin financiar dhe mundësuar financimin e projekteve publike. Murati ka falënderuar ekipin e ATK-së dhe tatimpaguesit për përkushtimin dhe zbatimin e detyrimeve fiskale.
Ai po ashtu ka theksuar se synimi është që ky trend të vazhdojë edhe për vitet në vijim, me qasje transparente dhe politika të balancuara që nxisin rritjen ekonomike dhe investimet në vend.



