Një gjest i rrallë ndershmërie është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.
Sipas njoftimit zyrtar, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi, 32 vjeç nga Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e marketit “Viva Fresh Store”, ka hasur në një portofol që përmbante para dhe dokumente personale.
Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç., 29 vjeçe.
Qytetari e ka dorëzuar portofolin në Stacionin Policor në Ferizaj. Pas verifikimit të të dhënave, Policia ka kontaktuar pronaren, e cila është paraqitur në stacion dhe ka marrë mbrapsht të gjitha paratë dhe dokumentet.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetarin për veprimin e tij, duke e cilësuar si shembull të lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare.



