Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka reaguar ashpër ndaj dyshimeve për vjedhje të votave mes kandidatëve brenda të njëjtave parti.
Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka ngritur shqetësimin për integritetin politik të kandidatëve që, sipas tij, manipulojnë votat edhe brenda radhëve të veta.
Ai ka theksuar se një kandidat që vjedh votat e kolegut nga e njëjta parti nuk mund të pritet të sillet ndryshe nëse bëhet deputet.
“Çfarë mund të pritet nga kandidati për deputet që vjedh votat e kandidatit tjetër nga po e njëjta parti? Të tillët, po u bënë deputetë, do ta vjedhin edhe dheun nën këmbë,” ka shkruar Hyseni.
Ai e ka cilësuar këtë fenomen si shenjë të thellë të degradimit moral në politikë, duke shtuar se, sipas tij, kjo prapësi ka nisur prej kohësh.
“Paftyrësia s’paska fund. Si duket kjo prapësi ka filluar që moti,” ka shkruar ai, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Turpi ju mbuloftë.”
Deklarata vjen në një kohë kur në disa komuna janë raportuar parregullsi dhe rinumërime të votave për shkak të dyshimeve për manipulim.



