Një incident fizik është raportuar pasditen e së shtunës në Mitrovicë të Jugut, ku dy persona u përfshinë në një përleshje në afërsi të marketit “ETC”.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur më 17 janar 2026, rreth orës 15:40, në rrugën “Bislim Bajgora”, ku është raportuar një rrahje në progres.
Të përfshirë në incident dyshohet se kanë qenë Aleksander Avdalovic (2003) dhe Besim Aliu (1965). Njëri prej tyre ishte punëtor mirëmbajtës i parkingut të ETC-së, ndërsa tjetri taksist që po qëndronte me veturën e tij në hapësirën e parkingut.
Sipas informatave, konflikti ka nisur pasi punëtori i parkingut i ka kërkuar taksistit të largohet nga vendi, duke sqaruar se hapësira ishte e rezervuar. Pas kësaj, taksisti dyshohet se ka reaguar me fyerje në gjuhën serbe dhe më pas i është afruar punëtorit duke e goditur disa herë me grushte.
Përleshja është ndërprerë nga një kalimtar i rastit, ndërsa i dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Mitrovicës së Veriut.
Si pasojë e sulmit, punëtori i parkingut ka pësuar lëndime në fytyrë dhe në zonën e buzëve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetimore, të cilat në konsultim me prokurorin kujdestar kanë urdhëruar sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe intervistimin e palëve dhe dëshmitarëve.
Pas analizimit të pamjeve dhe marrjes së deklaratave, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e incidentit. Të dy personat do të trajtohen në cilësinë e të dyshuarve.



