Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka njoftuar se Qeveria shqiptare ka ndarë rreth 52 milionë euro për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve, me synim përmbushjen më të mirë të nevojave të tyre.
Salla bëri të ditur se ka nisur një tur dëgjesash me fermerët në të gjithë vendin, për t’i përfshirë ata drejtpërdrejt në përshtatjen e skemës së mbështetjes. Gjatë vizitave në Kavajë dhe Rogozhinë, ai theksoi rëndësinë e marrjes së sugjerimeve nga fermerët dhe evidentimit të problematikave që ata hasin në aplikim dhe përfitim.
“Kemi vendosur një buxhet prej rreth 52 milionë eurosh për këtë skemë, në mënyrë që fermerët të aplikojnë dhe të përfitojnë mbështetje konkrete,” deklaroi ministri, duke shtuar se takimet do të vazhdojnë në të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
Në lidhje me dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në disa zona, Salla njoftoi se qeveria ka miratuar edhe një paketë të veçantë financiare për fermerët e dëmtuar. Ai theksoi se aktualisht po bëhet evidentimi i plotë i dëmeve në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, emergjencën civile dhe pushtetin vendor.
Sipas tij, vendimi për shpërblimet do të bëhet publik së shpejti dhe synon që kompensimi për fermerët e prekur të realizohet në kohë sa më të shkurtër.



