Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e mirëqenies sociale për muajin dhjetor 2025, të cilat tregojnë ndryshime në numrin e përfituesve të skemave pensionale, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të ASK-së, numri i veteranëve përfitues është rritur për 985 persona, ose 2.7 për qind brenda një viti. Në dhjetor të vitit 2024, në listën e përfituesve ishin 36,990 veteranë, ndërsa në dhjetor 2025 ky numër ka arritur në 37,975.
Lidhur me këtë rritje ka reaguar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka sqaruar se shtimi i numrit nuk lidhet me përfshirjen e veteranëve të rinj në lista, por me zgjedhjen e skemës pensionale nga persona që tashmë kanë status veterani.
Sipas Gucatit, veteranët që kanë punuar në sektorin publik apo privat dhe kanë dalë në pension, kanë zgjedhur të përfitojnë pensionin e veteranit, pasi ai është më i lartë sesa pensioni i zakonshëm i punës.
Ai ka theksuar se ky fenomen ka ndodhur edhe në vitet e kaluara dhe se ndryshimi i numrave është i natyrshëm, në varësi të veteranëve që pensionohen dhe zgjedhin skemën më të favorshme për ta.
Duke iu referuar deklarimeve të mëhershme të kryeministrit Albin Kurti për “fryrje të listave”, Gucati ka thënë se numri i veteranëve ka qenë konstant ndër vite dhe se rritja reflekton vetëm kalimin e veteranëve në pension dhe jo futjen e personave të rinj në lista.
Ndërkohë, kujtohet se rritja e pagës minimale, e miratuar së fundmi nga Qeveria e Kosovës, nuk do të zbatohet për kategoritë e dala nga lufta, përfshirë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



