Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtim për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes lidhur me personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Deklarata u dha pas përfundimit të rundit të ri të dialogut të zhvilluar në Bruksel, ku Bislimi tha se në javët në vijim pritet që delegacionet e të dyja palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet fillestare të punës së këtij komisioni.
Marrëveshja u arrit pas disa orësh takimesh të ndara që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi me Bislimin dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.
Në orët e mbrëmjes, palët mbajtën edhe një takim të përbashkët, ku marrëveshja u formalizua.
Ky rund dialogu u zhvillua pas vizitave të Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar. Ndërkohë, çështja e personave të zhdukur mbetet pjesë e marrëveshjes së arritur më 2023 ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një deklarate të përbashkët.



