Home > Lajme > Gjykata Speciale sqaron ligjëratën me nxënës në Prishtinë, reagojnë institucionet dhe veteranët

Gjykata Speciale sqaron ligjëratën me nxënës në Prishtinë, reagojnë institucionet dhe veteranët

///
Comments are Off

Një ligjëratë informuese për Gjykatën Speciale, e mbajtur në ambientet e Shkollës së Mesme Xhevdet Doda në Prishtinë, ka nxitur reagime të shumta nga institucione shtetërore dhe organizata të ndryshme.

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar se aktivitete të tilla zhvillohen që nga viti 2018, në kuadër të Programit të Shtrirjes së Informacionit, me qëllim informimin e nxënësve, studentëve dhe publikut për mandatin dhe procedurat e gjykatës.

Zëdhënësja Angela Griep ka theksuar se ligjëratat nuk përfshijnë qëndrime politike, por ofrojnë informacion publik dhe hapësirë për pyetje nga pjesëmarrësit. Sipas saj, këto aktivitete janë pjesë e përpjekjeve për transparencë dhe dialog me qytetarët.

Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar masa, duke deklaruar se aktiviteti është organizuar pa autorizimin e saj zyrtar. Nga ana tjetër, shkolla ka sqaruar se ligjërata është organizuar nga YIHR dhe se asnjë përfaqësues i Gjykatës Speciale nuk ka mbajtur ligjërim të drejtpërdrejtë.

Reagime kritike ka pasur edhe nga OVL-UÇK, e cila ka vënë në pikëpyetje qëllimin e aktivitetit dhe ka kërkuar respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Verified by MonsterInsights