Një aksident trafiku me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar të enjten në dalje të qytetit të Gjakovës, në rrugën “Dah Polloshka”, në drejtim të Prizrenit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, rreth orës 13:25 autoritetet janë informuar për aksidentin, ndërsa njësitet policore dhe ekipet e emergjencës mjekësore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e drejtuesit të automjetit, një mashkull rreth 81-vjeçar. Në aksion kanë intervenuar edhe ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve, të cilët kanë bërë nxjerrjen e trupit nga automjeti i aksidentuar.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, ndërsa hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.



