Home > Lajme > Manipulimi i votave në Prizren: Gjykata pranon 4 kërkesa për paraburgim ndaj 11 personave

Manipulimi i votave në Prizren: Gjykata pranon 4 kërkesa për paraburgim ndaj 11 personave

///
Comments are Off

Gjykata Themelore në Prizren ka konfirmuar se deri më tani ka pranuar katër kërkesa nga Prokuroria për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave, në kuadër të hetimeve për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit në këtë komunë.

Sipas zëdhënësit të Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, kërkesat për paraburgim janë pjesë e procedurave që po zhvillohen pas arrestimit të gjithsej 109 personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

“Deri në këto momente, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave. Në orën 14:00 është caktuar një seancë dëgjimore, ndërsa në orën 15:00 do të mbahet seanca e radhës. Ende jemi në pritje të kërkesave të tjera nga Prokuroria Themelore në Prizren”, ka deklaruar Lekaj.

Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë paraparë gjithsej katër seanca dëgjimore lidhur me këtë rast.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar 109 persona nën dyshimet për manipulim të votave, falsifikim të dokumenteve zgjedhore, kanosje dhe dhënie apo marrje ryshfeti, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër.

Gjykata pritet të vendosë në ditët në vijim lidhur me kërkesat për paraburgim, varësisht nga provat e paraqitura nga organet e ndjekjes.

Verified by MonsterInsights