Policia e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar armë zjarri, municion dhe mjete shpërthyese gjatë një operacioni policor të zhvilluar në një shtëpi të braktisur në fshatin Joshevik, në komunën e Zveçanit.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar rreth orës 09:20, pas pranimit të informatave përmes burimeve operative. Gjatë kontrollit në objektin e braktisur, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar një arsenal të konsiderueshëm armësh dhe municioni.
Materialet e sekuestruara përfshijnë një armë automatike të tipit AK-47, një pushkë gjysmë automatike dytytëshe, 16 karikatorë (prej të cilëve gjashtë të mbushur me nga 30 fishekë), 98 fishekë për armë automatike dhe gjysmë automatike, një rrip për fishekë, dy granata dore të tipit M50, si dhe pajisje për pastrimin dhe mirëmbajtjen e armëve.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia ka bërë të ditur se, deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka persona të arrestuar dhe se rasti po vazhdon të hetohet për të identifikuar personat përgjegjës dhe rrethanat e posedimit të arsenalit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit qytetar për ruajtjen e sigurisë publike.


