Kanë kaluar 12 vite nga aksidenti i rëndë me ski që i ndryshoi jetën përgjithmonë Michael Schumacherit, legjendës së Formula 1 me shtatë tituj botërorë. Incidenti ndodhi në Alpet Franceze në dhjetor të vitit 2013 dhe i shkaktoi atij dëmtime serioze në kokë, duke e detyruar të largohej plotësisht nga jeta publike.
Sipas informacioneve të fundit nga burime të afërta me familjen, gjendja e Schumacherit ka shënuar përmirësime të lehta, krahasuar me vitet e mëparshme. Ai nuk është më i detyruar të qëndrojë vazhdimisht në shtrat dhe mund të ulet në një karrocë invalidi, duke u lëvizur brenda ambientit ku jeton nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Schumacher vazhdon të marrë kujdes 24 orë në ditë nga një ekip i specializuar mjekësor dhe familja e tij, ndërsa informacionet mbi gjendjen e tij shëndetësore mbeten të kufizuara, në respekt të privatësisë që familja ka zgjedhur ta ruajë që nga aksidenti.
Raportohet se ai mund të kuptojë pjesërisht ngjarjet përreth tij, megjithatë ende nuk është në gjendje të flasë apo të ecë. Për vite me radhë, mungesa e informacionit zyrtar ka nxitur interes dhe spekulime të shumta, por familja ka qenë e vendosur të mos e ekspozojë publikisht gjendjen e tij.
Michael Schumacher mbetet një nga figurat më ikonike në historinë e sportit motorik dhe çdo përditësim për shëndetin e tij vazhdon të zgjojë interes të madh tek tifozët e Formula 1 në mbarë botën.


