Një konduktor treni ka humbur jetën pas një sulmi nga një pasagjer në një tren rajonal në shtetin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë, kanë bërë të ditur autoritetet gjermane.
Sipas informacioneve të publikuara nga Reuters, incidenti ndodhi gjatë kontrollit rutinë të biletave në një tren që sapo ishte nisur nga stacioni i Landstuhl.
I dyshuari, një 26-vjeçar që udhëtonte pa biletë, u përfshi fillimisht në një debat verbal me konduktorin, pasi iu kërkua të zbriste nga treni. Situata më pas eskaloi në dhunë fizike, ku pasagjeri dyshohet se e sulmoi punonjësin, duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.
Konduktori u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Autoritetet kanë konfirmuar se i dyshuari është arrestuar dhe hetimet për rastin janë duke vazhduar.





