Home > Ballina > Osmani kundër rritjes së re të çmimit të rrymës: Presidenca do t’i drejtohet ZRrE-së

Osmani kundër rritjes së re të çmimit të rrymës: Presidenca do t’i drejtohet ZRrE-së

///
Comments are Off

Vjosa Osmani ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj një rritjeje të re të tarifave të energjisë elektrike, pasi kompania furnizuese KESCO ka paraqitur kërkesë për shtrenjtim prej rreth 21 për qind.

Kjo vjen vetëm një vit pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 16 për qind.

Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj çdo rritjeje eventuale të tarifave, duke paralajmëruar se do të dorëzojë komentet e saj zyrtare sapo të hapet thirrja publike nga ZRrE.

“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë edhe në vitet e kaluara”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, duke theksuar se reagimi do të udhëhiqet nga interesi publik.

Presidenca ka rikujtuar se edhe vitin e kaluar kishte kundërshtuar rritjen e tarifave, duke argumentuar se një vendim i tillë ishte në kundërshtim me kornizën ligjore dhe nuk merrte parasysh gjendjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në dokumentin e dorëzuar më 28 mars 2025, Presidenca kishte theksuar se mbrojtja e konsumatorit është obligim parësor i ZRrE-së dhe se rritja e tarifave nuk mund të trajtohet si zgjidhje e vetme për problemet strukturore të sektorit energjetik.

Sipas vlerësimeve presidenciale, rritja e çmimit të energjisë do të kishte efekt zinxhiror në ekonomi, duke nxitur inflacionin, rritur koston e jetesës dhe ulur fuqinë blerëse të qytetarëve, veçanërisht në një periudhë me çmime të larta të produkteve bazë.

Presidenca ka bërë të ditur se në katër vitet e fundit, rritja kumulative e tarifave të energjisë në Kosovë ka arritur pothuajse 126 për qind, ndërsa ka kritikuar mungesën e transparencës nga operatorët energjetikë dhe varësinë nga importet për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm vendor.

Në vend të rritjes së çmimeve, janë propozuar masa alternative, përfshirë subvencionimin e energjisë për kategoritë e cenueshme, kufizimin e humbjeve të lejuara, përmirësimin e arkëtimit të faturave dhe reduktimin e përkohshëm të TVSH-së për energjinë elektrike.

Verified by MonsterInsights