Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë dhe 17-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.
Gjatë vizitës, Kurti theksoi se inteligjenca mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe një faktor kyç në mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Ai vlerësoi punën e zyrtarëve të AKI-së, duke theksuar rëndësinë e profesionalizmit, përgatitjes analitike dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për përballimin e sfidave moderne të sigurisë.
Sipas tij, Kosova përballet me kërcënime të ndryshme, përfshirë ato hibride, kibernetike dhe të natyrës së organizuar kriminale, çka kërkon një inteligjencë të fortë dhe të koordinuar me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri nënvizoi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë financiarisht dhe institucionalisht AKI-në, me synim forcimin e kapaciteteve operacionale dhe analitike. Gjatë ceremonisë u ndanë certifikata për zyrtarë të rinj dhe u prezantuan investime në infrastrukturë dhe pajisje.
Vizita u cilësua si një mesazh për rëndësinë strategjike që ka sektori i inteligjencës në arkitekturën e sigurisë së Kosovës.





