Home > Uncategorized > Specialja për aktakuzën e dytë ndaj Hashim Thaçit: Prokuroria duhet ta mbyllë rastin deri më 18 mars

Specialja për aktakuzën e dytë ndaj Hashim Thaçit: Prokuroria duhet ta mbyllë rastin deri më 18 mars

///
Comments are Off

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur afate të reja procedurale në lidhje me aktakuzën e dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku Prokuroria duhet ta mbyllë rastin e saj deri më 18 mars 2026.

Sipas njoftimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, vendimi u bë i ditur pas dëshmisë së dëshmitarit Christopher Kelly gjatë seancës gjyqësore. Pas përfundimit të dëshmisë, palët diskutuan për afatet dhe hapat e mëtejshëm proceduralë në këtë rast.

Në bazë të urdhrit të gjyqtarit, Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet ta përfundojë paraqitjen e provave dhe ta mbyllë rastin e saj deri më 18 mars 2026. Ndërkohë, ekipet e mbrojtjes kanë afat deri më 19 mars për të paraqitur njoftimet për rrëzimin e akuzave sipas rregullave procedurale të gjykatës.

Po ashtu, çdo mocion që mbështet këto njoftime duhet të dorëzohet deri më 25 mars, ndërsa Prokuroria do të ketë afat deri më 1 prill për t’u përgjigjur ndaj tyre. Këto afate pritet të përcaktojnë fazat e ardhshme të procesit gjyqësor lidhur me aktakuzën e dytë ndaj Thaçit.

Rasti lidhet me akuza për ndërhyrje në drejtësi dhe ndikim në dëshmitarë, të cilat janë ngritur ndaj ish-presidentit dhe disa personave të tjerë në kuadër të procedurave që po zhvillohen në Gjykatën Speciale në Hagë.

Verified by MonsterInsights